Komisioni Disiplinor i UEFA-s e ka shpallur vendimin pas incidenteve në ndeshjen Rumani-Kosovë, të ndërprerë për 52 minuta nga arbitri francez Willy Delajod për shkak të mesazheve dhe thirrjeve “Kosova është Serbi!”. Mediat rumune kanë zbuluar se si Federata Rumune e parashtroi mbrojtjen e saj dhe pse dënimi i marrë nuk është aq drastik.
Mbrëmjen e së martës ishte afati i fundit që palët e përfshira në ndeshjen Rumani – Kosovë (2-0) të dërgojnë argumentet me shkrim në UEFA.
E sot Komisioni Disiplinor i UEFA-s vendosi sanksionin pas incidenteve në atë ndeshje.
Duke qenë se rumunët ishin recidivistë, Komisioni dha një vendim të hershëm: Rumania do të luajë ndeshjen e radhës në shtëpi të kualifikueseve të Euro 2024 me dyer të mbyllura për publikun e gjerë dhe gjithashtu do të paguajë një gjobë prej 52,000 €. Fëmijët nën 14 vjeç do të kenë akses në stadium.
“Mesazhi politik, s’ka racizëm as ksenofobi”
Departamenti juridik i Federatës së Futbollit të Rumanisë e bazoi mbrojtjen e tij në argumentin se nuk ishin mesazhe raciste apo ksenofobik e, por një mesazh politik ai që u shfaq në ndeshje. Duke qenë se edhe shteti rumun është ndër ata që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Një tjetër pikë e mbrojtjes së rumunëve është edhe fakti që pas rifillimit të lojës nuk pati më incidente, shkruan sot gazeta rumune GSP.
Rumania kështu u përpoq të zvogëlojë “dëmin” e krijuar në këtë ndeshje ndaj Kosovës nga grupi ultras i tifozëve, i cili shkaktoi incidente të të njëjtit lloj në ndeshjen e parë të kualifikuesve të zhvilluar në Prishtinë, transmeton Paparaci.
Për më tepër, rumunët janë recidivistë, sepse u bënë thirrje të njëjta edhe në ndeshjen e saj kundër Hungarisë dhe në ndeshjen në shtëpi kundër Bjellorusisë. Për këto, UEFA kishte dhënë më parë një sanksion më të butë, mbylljen e një sektori prej 2000 vendesh gjatë ndeshjes me Izraelin (1-1).
Tani, megjithatë, kishte shumë pak gjasa që të shpëtonte aq lehtë. Por, sërish dënimi nuk është në shkallën që është pritur nga kosovarët.