Presidentja Vjosa Osmani nuk ka pranuar të japë koment të detajuar për vendimin e Gjykata Kushtetuese e Kosovës lidhur me dekretin e saj për shpërndarjen e Kuvendit, duke theksuar se Presidenca tashmë është deklaruar për këtë çështje dhe duke kërkuar mirëkuptim nga mediat.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi dekretin e nxjerrë më 6 mars, duke konstatuar se ai nuk prodhon efekt juridik. Megjithatë, në vendimin e saj, Kushtetuesja ka theksuar se presidentja nuk ka bërë shkelje të Kushtetutës, çka është mirëpritur nga Presidenca.
Sipas aktgjykimit, tani nis një afat prej 34 ditësh, brenda të cilit deputetët duhet të zgjedhin presidentin e ri. Nëse kjo nuk ndodh, Kuvendi shpërndahet automatikisht sipas Kushtetutës (“ex constitutione”) dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Vendimi i Gjykatës vjen pasi ajo më herët kishte vendosur masë të përkohshme, duke pezulluar dekretin deri më 31 mars dhe duke ndaluar çdo veprim të institucioneve lidhur me të, pas kërkesës së bërë nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti.