Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë nga kryeministri Albin Kurti për takim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ai theksoi se PDK respekton vendimin e Kushtetueses, duke theksuar se në Kosovë duhet të respektohen vendimet e gjykatave, posaçërisht ato të Gjykatës Kushtetuese.
Hamza tha se sot është mbajtur mbledhja e Kryesisë dhe e Grupit Parlamentar të PDK-së, ndërsa ditëve në vijim priten edhe mbledhje të Këshillit Drejtues për të diskutuar qëndrimet dhe pozicionin e partisë. Ai shtoi se çdo vendim zyrtar do të dalë pas debatit në organet e PDK-së.
Ndërsa për mundësinë e një kompromisi lidhur me zgjedhjen e presidentit, Hamza nënvizoi se çdo deklarim para diskutimeve brenda partisë nuk është i duhuri, pasi vendimet merren brenda organeve të PDK-së dhe aty qëndrojnë zyrtarisht.