Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, e nxitur nga tensionet gjeopolitike, ka shtyrë shumicën e vendeve të rajonit të ndërhyjnë për të lehtësuar barrën për qytetarët. Ndërsa shtetet e Ballkanit kanë ulur akcizën apo TVSH-në për karburantet, Kosova mbetet pa masa konkrete në këtë drejtim, shkruan Gazeta Infokus.
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se po e monitoron situatën, por aktualisht nuk e konsideron heqjen e akcizës si opsion. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të paguajnë 0.37 euro akcizë për litër, plus 18% TVSH, duke e bërë çmimin më të ndjeshëm ndaj luhatjeve.
Në kontrast, vendet e rajonit kanë ndërhyrë: Shqipëria ka ulur akcizën, Mali i Zi e ka përgjysmuar, Maqedonia e Veriut ka ulur TVSH-në, Serbia ka bërë ulje të theksuar të akcizës, ndërsa Kroacia ka vendosur edhe çmime tavan.
Mungesa e masave të ngjashme në Kosovë po rrit presionin mbi qytetarët, ndërsa opozita vazhdon të kërkojë ndërhyrje konkrete nga qeveria.