Dyshohet tashmë nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike (shitore tregtare dhe kompani shërbimesh), për falsifikimin e shumtë numerik të monedhës 2 euroshe. Dhe shi për këtë dyshim, tani një kohë ka nisur edhe të refuzohet së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit.
Monedha me vlerë dy euro, e cila realisht është shumë e përdorshme në pothuajse shumicën e transaksioneve tregtare, sidomos në shitjen me pakicë në Kosovë, por edhe në kryerjen e shumë shërbimeve, ka javë, e mbase edhe muaj që është bërë problematike.
Dyshohet tashmë nga shumëkush- individë dhe subjekte juridike (shitore tregtare dhe kompani shërbimesh), për falsifikimin e shumtë numerik të kësaj monedhe. Dhe shi për këtë dyshim, tani një kohë ka nisur edhe të refuzohet së pranuari nga shumë subjekte tregtare dhe shërbyese, por edhe nga qytetarë kosovarë, të ndikuar më shumë nga disa deklarata publike të përfaqësuesve të ndërmarrjeve publike shërbyese që ndodhën kohët e fundit.
Më konkretisht, para dy ditësh, nëpërmjet ekranit të një shtëpie televizive të Kosovës, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, njoftoi duke ngulmuar se kompania të cilën ajo e përfaqëson, ka vendosur tash e sa ditë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 euroshe për pagesë nga klientela për shërbimet që kryen kjo kompani. Të nesërmen e këtij njoftimi, në autobusin urban numër 4 të kryeqytetit, që qarkullon në linjën nga Pishina e Gërmisë deri në Matiqan, dhe anasjelltas, duke përshkuar thuaja gjithë kryeqytetin, reporterit të Buletin Ekonomik i rastisi të shohë një skenë jo fortë të këndshme ndërmjet konduktorit dhe një udhëtarjeje, grua në moshë të mesme, që së paku me imazhin e saj nuk përngjasonte fare në ndonjë falsifikatore. Në kërkesën e konduktorit për të marrë biletën e udhëtimit, udhëtarja i ofron paratë e kërkuara, mirëpo konduktori pa një pa dy ia kthenë 2 euroshin udhëtares, duke i thënë se kjo monedhë është e falsifikuar. Udhëtarja e urbanit, që u ndie në njëfarë mënyrë keq, ia ofron sërish një monedhë tjetër, prap 2 euroshe dhe sërish konduktori ende pa e shkikuar mirë ia kthen duke e konstatuar edhe këtë si para të falsifikuar. Udhëtarja tani në siklet, me ndihmën edhe të ndonjë udhëtari mezi i bëri 50 centë për biletën.
Me të përfunduar kjo skenë, një udhëtar tjetër, në dukje serioz, që pokështu kishte rastisur të jetë shumë pranë ulëseve ku u zhvillua kjo skenë, me gjakftohësi e pyeti konduktorin, si e vlerësoni ju falsitetin e monedhës, në këtë rast të 2 euros, kaq lehtsisht dhe pa ndonjë ekspertizë të qëndrueshme, ose pa verifikimin e saj nëpërmjet aparatit përkatës. Konduktori, jo shumë bindës, ia ktheu se monedha e falsifikuar është më e lehtë dhe ka ca vija. Por dialogu në autobusin numër katër pasditën e 12 shkurtit nuk u ndal me kaq. Udhëtari që i bëri fillimisht pyetjen konduktorit insistoi që ta dijë se si me dorë të lirë mund të dallojë njeriu peshën më të rëndë dhe më të lehtë të monedhës, kur diferencën eventuale të peshës së monedhës e ka të vështirë ta konstatojë edhe peshorja e barnatorës. Kjo pyetje mbeti pa përgjigjen e konduktorit.