Gjykata Kushtëtuese e Kosovës ka vendosur që deputetët e Kuvendit të kenë afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri, duke u dhënë edhe 34 ditë shtesë për ta përmbyllur këtë proces.
Sipas aktgjykimit, nëse brenda këtij afati nuk arrihet zgjedhja e presidentit, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Datat e mundshme për votime janë të dielat nga 3 maji deri më 7 qershor, megjithëse zakonisht përzgjidhet një datë më e vonshme për shkak të përgatitjeve zgjedhore.
Gjykata gjithashtu konstatoi se dekreti i 6 marsit i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit nuk prodhon efekt juridik, duke e kthyer përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit sërish te deputetët.
Ky vendim erdhi pas kërkesës së Qeverisë së Kosovës dhe shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci , të cilët kërkuan vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit presidencial, i cili ishte bazuar në Nenin 86 të Kushtetutës.