E premtja e 14 prillit shënoi krimin më çnjerëzor të ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Shtëpia e familjes Hyseni në rrugën ‘Mbreti Zog’ në Pejë, u shndërrua dje në skenë krimi. Kjo pasi që djali i familjes, Urimi, dyshohet se vrau në mënyrë mizore nënën e tij, Hyrijen. Për më tepër, ai dyshohet se kreu akte kanibalizmi, duke i pirë gjakun së ëmës.
Gazeta Sinjali e ka publikuar detaje të rënda se si e ndjera fillimisht u gjet me shenja jete nga kunata e saj, e cila tentoi ta ndalojë Urimin dhe kërkoi ndihmë, por fatkeqësisht nuk arriti ta shpëtojë të ndjerën.
Urim Hyseni dyshohet se e vrau nënën e tij në mënyrë mizore, duke ia prerë kokën me thikë. Në katin e parë të shtëpisë u gjet trupi, ndërsa koka e së ndjerës u gjet në një tavolinë në bodrum. Gjithçka dyshohet se ndodhi për një periudhë të shkurtër dhe i parapriu një situatë e tensionuar mes të ndjerës dhe djalit të saj.
Në ndjekje të raportimit, persona të afërt të familjes Hyseni, të cilët përveç që kanë shprehur dhimbjen e madhe, në kushte anonimiteti kanë treguar për Sinjalin edhe detaje të rënda.
“Kjo ma shkatërroi jetën”- Kush e pa i pari tmerrin në familjen Hyseni në Pejë?
Kanë qenë anëtarët e familjes së gjerë ata që fillimisht kanë vërejtur se në shtëpinë e viktimës, po ndodh diçka e pazakontë. Sipas të afërmeve të tyre, ishte pikërisht kunata e së ndjerës ajo e cila u përballë me skenën e tmerrshme dhe tentoi që ta parandalojë Urimin.
Bazuar në rrëfimin e dëshmitares dhënë familjarëve, posa ka hyrë në shtëpi ka parë gjithë tmerrin që ka ndodhur dhe sipas saj, e ndjera ishte ende me shenja jete, ndonëse i dyshuari, Urimi, po mbante akoma thikën në fytin e saj.
Kunata e Hyrijes u ka komunikuar familjarëve se ka tentuar që ta parandalojë Urimin dhe i ka kërkuar që ta lëshojë thikën e të largohet që aty dhe më pas sipas saj, 31-vjeçari në praninë e saj ka pirë gjakun e nënës së tij i cili ishte bërë pellg në ambientet e brendshme të shtëpisë.
E thika, e cila fillimisht u largua nga dëshmitarja e rastit, ra sërish në dorën e të dyshuarit, i cili sipas kunatës së të ndjerës, prapë është nisur në drejtim të 58-vjeçares duke bërtitur.