Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka deklaruar të dielën se Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë fillestare për menaxhim të incidentit në veri.
Në një komunikatë për media, KFOR-i e ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve të PK-së, ku rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe polici Alban Rashiti, u plagos në veri të Kosovës, mëngjesin e sotëm.
KFOR-i vazhdon të monitorojë nga afër situatën në Banjska dhe trupat e KFOR-it janë të pranishme në zonë, të gatshme për t’iu përgjigjur nëse kërkohet. Policia e Kosovës, si reaguese e parë, ka përgjegjësinë parësore për menaxhimin e incidentit në terren”, tha KFOR-i.
“Komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me të gjitha palët e interesuara ndërkombëtare, përfshirë BE-në, Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe me institucionet në Kosovë, dhe po punon intensivisht për të gjetur një zgjidhje”.
“Misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO dënon ashpër sulmin kundër Policisë së Kosovës dhe dërgon ngushëllimet më të thella për familjen dhe të dashurit e të ndjerit”.