Më 21 tetor, përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Italisë, Francës do të shoqërojnë përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, në takimet në Kosovë dhe Serbi.
Qëllimi i vizitës, sipas ish-ministrit të Integrimeve, Bekim Çollaku është të shtyhet përpara zbatimi i ujdisë drejt normalizimit dhe Aneksit, me theks të veçantë zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit.
Çollaku, që ishte edhe shefi i kabinetit të Thaçit, thotë se diplomatët e huaj do të kërkonë veprimet konkrete nga Albin Kurti lidhur mbi këtë obligim tash e disa vjeçar.
“Vizita e paralajmëruar e emisarëve të BE-së, SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë, në fokus do të këtë zbatimin e marrëveshjes bazike të pranuar nga Kurti dhe Vuçiçi. Thelbi i zbatimit të kësaj marrëveshje është themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, pohoi Çollaku për Front Online.
Sipas tij, Kurti e ka pranuar Asociacionin.
“Nisur nga fakti që kryeministri Kurti e ka pranuar marrëveshjen, dhe rrjedhimisht edhe themelimin e asociacionit, atëherë pritet që takimi të fokusohet në veprimet konkrete të qeverisë së Kosovës për ta përmbushur këtë obligim”.
Çollaku thotë se faktorit ndërkombëtar i është shterr durimi sa i përket AKS-së.
“Kryeministri Kurti nuk ka më hapsirë për të blerë kohë sepse durimi i faktorit ndërkombëtar është shterrur. Prandaj, atij do ti kërkohet që jap propozim konkret për draft statutin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.
Gazetari Baton Haxhiu thotë se Vetëmenaxhimi në këmbim të njohjes de facto do të jetë formula e vetme qe pesëshja e ka të shtunën në tavolinë si pjesë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ky është një aspekt i rëndësishëm i procesit të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë dhe është një nga pikat kyçe të marrëveshjes bazike që janë diskutuar në negociatat midis Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare dhe Serbisë dhe Bashkësisë ndërkombëtare dhe do të jenë merre ose lere në takimin e të shtunës në Prishtinë dhe Beograd”, theksoi ai.
Ish-kryenegociatori për vizitën e pesëshes diplomatike: Priten propozime konkrete
Ish-kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Avni Arifi thotë për Front Online se ardhja e pesëshes diplomatike shënon një momentum të ri nëprocesin e dialogut
“Ardhja e pesëshes diplomatike shënon një momentum të ri nëprocesin e dialogut. Pas dështimit të 14 shtatorit dhe sulmit terrorist dhe 24 shtatorit BE synon që të ndaj procesin e bisedimeve nga procesi i hetimeve për aktin terrorist”.
Arifi pret propozime konkrete nga ndërkombëtarët.
“Besoj se do të ketë propozime konkrete për hapat e mëtutjeshëm e të cilat kanë mbështetje të fuqishme jo vetëm nga BE, por edhe shtetet anëtare më të fuqishme. Po ashtu kjo është edhe një përkrahje për Lajcak dhe refuzim publik i kritikave që kanë shkuar në llogari të tij”, u shpreh Arifi.
SHBA-ja dhe BE-ja kanë dënuar ashpër sulmin në Banjskë. Borrell e ka cilësuar si terrorist sulmin.
Tashmë BE-ja dhe shtetet anëtare po presin rezultatet e hetimeve për të parë se kush e kishte planifikuar sulmin, kush i kishte ndihmuar sulmuesit dhe më pas do të vendosin për masa eventuale.
Tash për tash, masa ndëshkuese ka ndaj Kosovës, për shkak të tensioneve të mëhershme në veri të Kosovës, por në BE nuk e kanë përjashtuar mundësinë që të vendosen sanksione ndaj Serbisë.