Varësia nga droga në Kosovë sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Ato po përdoren me të madhe, sidomos nga të rinjtë të cilët shpesh kapen në flagrancë nga Policia. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në rrugën “Ibrahim Rugova” në Lipjan, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi i dyshuar për këtë rast është Agon Krasniqi, 23-vjeçar, i cili është kapur derisa Policia po patrullonte në një pikë kontrolli.
Policia fillimisht hasi në rezistencë, por pavarësisht tentativa për të ikur, i riu u kap me një qese me narkotikë, që u bënë sebep që i njëjti të përfundojë në ndalim policor.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari posa e ka vërejtur Policinë nuk është ndalur dhe ka vazhduar të lëvizte me shpejtësi të madhe, për t’iu shpëtuar prangave. Për të mos mbaruar me kaq, ai ka hedhur drogën nga dritarja, me shpresën se nuk do të kapej nga zyrtarët policorë.
Pas një periudhë të shkurtër kohore, i dyshuari është Kapur në rrugën “Skënderbeu”, ku është arrestuar dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe dorëzimin e kallëzimit penal.
I riu që dyshohet për këtë rast do të hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.