Sot rreth orës 11:45 në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë ka ndodhur një plagosje me armë zjarri. Policia menjëherë pas marrjes së informacionit ka dalë në vendin e ngjarjes.
Pas hetimeve fillestare dyshohet se një person i gjinisë mashkull ka plagosur me armë zjarri dy persona të tjerë të gjinisë femërore, të cilat edhe janë dërguar për trajtim mjekësor.
T7 raporton se viktimat janë nënë e bijë.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës Flora Ahmeti. Ndërkohë i dyshuari është identifikuar por ende mbetet në arrati.
“Sot rreth orës 11:45, policia ka marrë informatën për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ” Besa Besë” në Fushë Kosovë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një person i dyshuar, me armë zjarri janë plagosur dy persona (të dyja të gjinisë femërore), të cilat janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Ahmeti
.