Sveçla zbulon se e kujt është vetura ku u gjet armatimi në afërsi të Zveçanit

Advertisement

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka zbuluar se vetura në të cilën mbrëmë u gjetën sasi e madhe e armatimeve në afërsi të Zveçanit, është pronë e Shoqërisë Aksionare “Hekurudhat e Serbisë”.

Sveçla ka deklaruar se Policia tashmë ka edhe informatat e para mbi personat e përfshirë, derisa ka thënë se armët që janë gjetur janë shumë të rrezikshme

I gjithë ky armatim ka ardhur nga Serbia. Edhe vetë vetura është pronë e Shoqërisë Aksionare “Hekurudhat e Serbisë”. Tashmë Policia ka edhe informatat e para mbi personat të cilët kanë qenë të përfshirë në sjellje në vendosje por edhe potencialisht në realizimin e akteve terroriste. Këto armë janë jashtëzakonisht të rrezikshme qoftë për personelin e Policisë por edhe për gjithë qytetarët”, ka deklaruar Sveçla në RTK.

Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës ka parandaluar mbrëmë një sulm terrorist, duke kapur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit.

Advertisement

Ai ka thënë se armatimi i kapur është identifikuar në një veturë me targa të Beogradit, 100 metra larg Komunës së Zveçanit.

“Falë angazhimit intenziv të njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës dhe informatave/inteligjencës së pranuar, sot është identifikuar një veturë me targa të Beogradit, rreth 100m larg Komunës së Zvecanit, në të cilën janë zbuluar sasi të mëdha të armatimeve, mjeteve eksplozive dhe municioneve të ndryshme, përfshi Zolla, Osa, eksplozivë, armë automatike, sasi e konsiderueshme e municionit, shok-bomba, uniforma dhe çanta ushtarake”, ka thënë Sveçla.