Insajderi merr vesh që, fill pas arrestimit të dy shtetasve kosovarë në operacionin ku u kapën mbi 10 mijë pilula ekstazi, njëri nga ta ish-asamblisti i Vetëvendosjes, autoritetet kosovare kishin kontaktuar me organet e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Por, sipas burimeve të Insajderit, këto të fundit deri tash nuk kanë dërguar ndonjë informacion kthyes- shkak mos-besimi ndaj homologëve të tyre në Kosovë
E marta e kësaj jave e kishte gjetur policinë shqiptare në një aksion të madh anti-droge. U arrestuan së paku pesë persona, që dyshohen për një rrjet shpërndarje të drogës ekstazi nëpër plazhet e jugut shqiptar.
Për ta Gjykata e Tiranës ka marrë vendim që në burg pa afat të qëndrojnë 5 të arrestuarit, ku si provë po ruhen edhe 11300 doza ekstazi.
Dy nga të arrestuarit janë shtetas të Kosovës, Mithat Ramadani, reper, dhe Besnik Mujeci ish-asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Kryeqytet. Bashkë me ta u kapën edhe tre shtetasit shqiptarë Kalem Picari, Ambra Myftari dhe Daniel Avdia.
Siç merr vesh Gazeta Insajderi, fill pas këtij aksioni, Policia e Kosovës me sugjerim të Prokurorisë kishte tentuar që të vendoste kontakt me autoritetet e zbatimit të ligjit në shtetin shqiptar. Të bashkëpunonte me ta dhe eventualisht edhe të ndihmonte në hetim, pasi që dy nga të arrestuarit ishin shtetas të Kosovës.