Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marr detyrën.
Sipas Rashiqit ata e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shenjëstrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve”.
Sipas tij nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën njëherë.
“Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.