Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të dalë me një deklaratë të dytë dhe ta dënojë ditën e zisë të shpallur nga Serbia për vdekjen e tre sulmuesve të armatosur në Banjskë të Zveçanit të dielën.
Në një konferencë për media të mërkurën nga Roma, Rama ka thënë se vrasja e rreshterit të policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe shpallje e ditës së zisë kombëtare nga Serbia janë veprime të pajustifikueshme, të papranueshme dhe duhen dënuar.
Ai ka thënë se e kanë të pamundur të mbështesin deklaratën e parë të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, pa pasur një deklaratë të dytë ku dënohen veprimet e Serbisë. Në thelb, Rama thotë se deklarata e parë nuk ka ndonjë problem pasi adreson ato çka janë thënë edhe më parë.
“Kemi kërkuar që BE-ja dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin demokratik në nivelin më të lartë dhe të përdorë të gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e ditës së zisë kombëtare në Beograd. Deri në momentin, kur nuk do të ketë një deklaratë të dytë të BE-së për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë. Nëse deklarata e dytë bën këtë që po them, dhe nëse ajo e bën këtë që kërkojmë nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë për të cilën kemi punë me Serbinë, ne nuk heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të BE-së dhe komunitetit euroatlantik për Kosovën. Në këtë pikë linja jonë është 100% e BE-së dhe komunitetit euroatlantik. E përsëris ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që ka pasuar në Beograd me shpalljen e ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, u shpreh Rama.