Në fillim të mbledhjes pritet të diskutohet propozimi për ndarjen e shpërblimeve për futbollistët e Përfaqësueses së Kosovës, si dhe miratimi i pagesës së pagës së 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit.
Një pikë tjetër e rëndësishme është propozimi i Ministrisë së Mbrojtjes për t’i kërkuar Kuvendit dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të një misioni ndërkombëtar stabilizues në Gaza.
Në aspektin legjislativ, Qeveria do të shqyrtojë disa projektligje me rëndësi, përfshirë atë për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, krijimin e Inspektoratit Qendror për Mjedisin dhe Ndërtimin, si dhe ligjet që lidhen me financimin e menaxhimit të ujërave dhe banimin social e të përballueshëm.
Gjithashtu, në mbledhje do të analizohet raporti për sistemin e financimit të komunave për vitin 2025, si dhe do të merren vendime për shpronësime, emërime dhe rialokime buxhetore në disa ministri.
Në fund, pritet të shqyrtohet edhe raporti vjetor financiar për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, së bashku me çështje të tjera të ndryshme.
