Ky dokument i deklasifikuar shërbimit sekret amerikan, konfirmon se në vitin 1995, ish-presidenti, Sali Berisha ishte kundër pavarësisë së Kosovës.
Madje në raportin e CIA-s të siguruar nga ABC News nënvizohet se në prag fushate, Sali Berisha ashpërsoi qëndrimet për cështjet etnike, duke e përdorur kartën nacionaliste për të mundur socialistët.
Dokumenti i CIA-s studion mundësitë për konflikte në Ballkan, dhe në kapitullin “Potenciali i Tiranës për të ndikuar në rajon” aktori kryesor i mbajtur nën vëzhdim, është Sali Berisha.
Dhe jo pa të drejtë, sepse presidenti i Shqipërisë në atë kohë takonte diplomatë amerikanë të cilëve ju deklarohej kundër Pavarësisë së Kosovës.
“Berisha – me shumë gjasa duke njohur pozicionin e dobët negociues të shqiptarëve etnikë – vazhdon të këmbëngulë që Rugova të heqë dorë nga kërkesat për pavarësi dhe u ka thënë diplomatëve amerikanë se ai beson se fillimi i negociatave do ta ndihmojë Rugovën të shmangë presionin nga liderët më aktivistë shqiptarë të Kosovës”