Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila mbylli mandatin e saj te plotë, tashmë ka arritur marrëveshje të plotë për rikthimin e saj në Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Burime të sigurta brenda LDK-së kanë konfirmuar për Gazetën Infokus se zyrtarizimi i marrëveshjes do të bëhet të enjten, në një konferencë për media, ku do të paraqiten Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani.
Roli i Osmanit dhe Abdixhikut në konfigurimin e ri
Burimet bëjnë të ditur se Osmani pritet të jetë bartëse e listës zgjedhore të LDK-së, duke marrë rol kyç në mobilizimin elektoral dhe në artikulimin e platformës politike gjatë fushatës.
Njëkohësisht, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pritet të jetë kandidati zyrtar i kësaj partie për postin e kryeministrit.
Sipas të njëjtave burime, Osmani pritet të artikulojë hapur gjatë fushatës edhe synimin për një mandat të ri presidencial.
Lëvizje të reja dhe riorganizim i brendshëm
Pas zyrtarizimit të kthimit të Osmanit në LDK, priten një sërë zhvillimesh të tjera politike. Burimet flasin për aderimin e disa figurave të njohura publike, me përvojë profesionale dhe karrierë të konsoliduar.