Idenë e Besnik Tahirit që për president të jenë dy kandidatë, një nga Vetëvendosja dhe një nga ish-opozita, e kanë mirëpritur në partinë që ka fituar zgjedhjet – VV. Sipas deputetit të zgjedhur të VV-së, Adnan Rrustemi, një skenar i tillë siguron kuorumin e nevojshëm. Por, në LDK kanë thënë se për postin e kreut të shtetit, e kanë kandidatin e vet.
Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë thënë se një nga zgjidhjet për zgjedhjen e presidentit është edhe gara mes një kandidati të saj me një që do ta jepnin bashkërisht partitë që kanë qenë në opozitë.
Deputeti i zgjedhur i LVV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se presidenti është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, e jo vetëm e atyre që përbëjnë shumicën parlamentare.
Sipas tij, një garë mes kandidatit të Vetëvendosjes dhe një kandidati të përbashkët të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës do ta tejkalonte sfidën kryesore, kuorumin.
“Ka mënyra të ndryshme për ta tejkaluar bllokadën nëse ka vullnet politik. Kjo është një nga mënyrat. Opozita ka mjaftueshëm nënshkrime për ta nxjerrë një kandidat, po ta bënte një gjë të tillë herën e kaluar, nuk do t’i kishim zgjedhjet e 7 qershorit”, ka thënë Rrustemi.