LDK merr qëndrim

Advertisement

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti nuk është diskutuar për emra konkretë për president, duke hedhur poshtë spekulimet për kandidatura të mundshme dhe duke theksuar se LDK-ja nuk do të mbështesë një zgjidhje ku të gjitha pozitat kryesore shtetërore i takojnë një partie të vetme.

Ai tha se diskutimi ka qenë vetëm për propozimet aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilat LDK-ja ka dhënë përgjigje negative.

“Kam dëgjuar shumë spekulime dje. Janë vetëm spekulime, nuk janë të vërteta. Pra, nuk kemi folur për emra, aq më pak për emrin tim. Pra kemi folur për dy propozimet aktuale që janë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dje në mëngjes i kam dërguar përgjigje që LDK-ja nuk mund të mbështet një skenar në të cilin të tri kandidaturat, të tri pozicionet shtetërore i takojnë një partie politike”, tha ai.

Abdixhiku bëri të ditur se gjatë javës së ardhshme mund të ketë takime të reja, por se aktualisht nuk ka zhvillime konkrete në këtë drejtim

“Tani shohim gjatë javës së ardhshme për të parë mundësinë e takimeve të tjera. Kaq është e vërteta, nuk ka zhvillime të tjera. Nuk kemi propozuar emër, nuk kemi dhënë asgjë, dhe nuk na është kërkuar ende asgjë. Kjo është e vërteta e vetme. Dhe mbi këtë të vërtetë do shohim se si do zhvillohen çështjet tutje”, tha ai.

Advertisement

Ai konfirmoi se është takuar me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për të diskutuar qëndrimet lidhur me këtë çështje, ndërsa tha se kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka refuzuar takimin.

“Po jam takuar me zotërinë Hamza. Kam zhvilluar diskutime për të parë pozicionin e tyre. Zotëri Haradinaj ka pasur refuzim takimi, me thënë të drejtën është qëndrim i tyre që s’duan të takohen po mos të ankohen pastaj. Sepse takimi është parakusht i diskutimeve normale njerëzore. Si duket zotëri Haradinaj e ka keqkuptuar mirësinë time për të pasur komunikim, po në qoftë se s’do me u taku, s’është problem i madh”, tha ai.

Abdixhiku theksoi se nuk ka ambicie personale për postin e presidentit, duke nënvizuar se procesi duhet të jetë konsensual dhe i bazuar në parime ndërpartiake.