Serbët e veriut të Kosovës kanë filluar të mblidhen e të dalin në rrugë qysh para orës 07:00.
Gazetari i T7 i cili ndodhet në vendin e ngjarjes raporton se tashmë në rrugë kanë filluar të dalin banorët e asaj pjese të Kosovës.
Tubimi i tyre vjen pas asaj çka ndodhi të premten, ditën kur kryetarët shqiptarë të komunave veriure kanë dalë në punë në zyrat e tyre.

Kjo nuk u prit mirë nga banorët serb të asaj pjese të Kosovës, gjeq ë bëri që situata të dalë jashtë kontrollit.
Me tensione u përcoll të premten dita e parë e punës e tre kryetarëve të Komunës së Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit.
Protesta, hedhje gurësh, shok-bomba e gaz lotsjellës, e përfunduar ditën e djeshme të gjatë me 5 zyrtarë policorë të lënduar, e me dëmtime të veturave të policisë.
Po ashtu, e dëmtuar mbeti edhe vetura e ekipit të gazetarëve të Koha.net.
Grupet lokale u mblodhën të premten gjatë mesditës nëpër oborre të tri komunave për të penguar hyrjen e tre kryetarëve që kishin dhënë betimet e tyre një ditë më parë.
Kryetarit të ri Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqirit, iu ndalua hyrja në objektin e komunës, ndërsa pak momente më vonë në qytet u dëgjua alarmi, që në raste të tillë në komunat verirore është njoftim dhe ftesë për mobilizim të komunitetit serb.
Me pengesa për të hyrë në objekt të komunës u ballafaqua edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Para zyrave të reja të tij, ishin vendosur makineri të rënda. Ato ishin të ngjashme me makineri të cilat janë përdorur më herët për të barrikaduar rrugët në 4 komunat e veriut.
Edhe objekti i komunës së Zveçanit ishte rrethuar me makineri të rënda.
Për shkak të veprimeve policore për të larguar protestuesit dhe lejuar qasjen në objekt për kreytarin e ri, kishte pasur një përlasje mes palëve.
Disa vetura mbetën të dëmtuara, e një prej tyre ishte bërë shkrumb e hi, pas flakëve të marra.
Për dallim nga homologët e tij, kryetari i Mitrovicës së Veriut kishte vazhduar kryerjen e detyrave të tij, pa u penguar dhe pa qenë pjesë e lajmeve për zhvillimet e së premtes.
“Po, sot unë jam këtu, në objektin e komunës, në zyrë. Nuk di më shumë detaje, unë jam këtu, po punoj kam takime…” – kishte thënë shkurtimisht Atiqi për situatën në komunat tjera në veri.
Policia doli më pas me një njoftim duke thënë se kanë asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse.
Hyrja e kryetarëve të rinj në zyrat e tyre u shoqërua me vonesa e forca të shumta të Njësisë Speciale të Kosovës.
I pari që konfirmoi se ka hyrë në objekt të komunës ishte kreytari Zveçanit, Ilir Peci.
“Po, tash për momentin jam në zyrën e kryetarit. Më në fund mirë jemi. Po jam, në përcjellje të policisë, më shumë informacione nuk kam” – tha shkurt ai.
Por ballafaqimi me protestues dhe mundësimi i hyrjes së Pecit brenda objektit, la 5 policë të lënduar, të cilët u ballafaquan me protestuesit.
Ndërsa disa orë më vonë, kur në situata normale mund të përfundonte orari i punës për një kryetar, Izmir Zeqiri, kreytar i Zubin Potokut arriti të hyjë në zyrën e tij.
Rreth orës 16:00 të së enjten, Zeqiri u ul për herë të parë në ulësen e kryetarit të komunës.
Kurse rreth orës 17:00, mes tensionesh dhe nën përcjelljen e forcave të rendit, të njëjtën e bëri edhe kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Pavarësisht interesimit të madh të gazetarëve të shumtë që ishin të vendosur në tri këto komuna, asnjëri nga kryetarët nuk u folën atyre.
Pas largimit nga objektet e komunës, asnjëri nga kryetarët nuk u deklarua para mediave, të cilët po raportonin nga vendi i ngjarjes.
Reagimet e ashpra të ndërkombëtarëve
Situata e krijuar dje, nxiti një reagim të ashpër nga institucionet ndërkombëtare të vendosura në Kosovë, por jo vetëm. Reagim i ashpër erdhi edhe nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.
I pari që dha goditjen për veprimet e institucioneve të Kosovës ishte ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”- ka shkruar Hovenier në Twitter.
Pas tij, nisën reagimet edhe nga diplomatët e tjerë e Bashkimi Evropian.
“Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të interesit, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës – nën lehtësimin e BE-së” – thuhet në reagimin e BE-së.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dënoi veprimet e Qeverisë së Kosovës, që sipas tij po përshkallëzojnë tensionet.
“Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të ripërqendrohet në Dialogun e lehtësuar nga BE”- thuhet në reagimin e Blinken.
Në orën e vona të së premtes me një deklaratë të përbashkët erdhën edhe shtetet e QUINT-it.
Ambasadat e Francës, Italisë, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se dënojnë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës pavarësisht thirrjes për përmbajtje.
“Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes tonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen dhe të de-përshkallëzohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in. Dënojmë sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan” – thuhet në reagim.