Gjermania ka publikuar draft-reformat në çështjen e imigrimit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, si përpjekje e qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të mbushur mungesat e punës në ekonominë më të madhe evropiane.
Kosovarët, që viteve të fundit kanë shkuar në shifra të konsiderueshme për punë në Gjermani, me reformat do të kenë më të lehtë rrugën e migrimit.
“Me këtë, ne po vëmë themelet për një fillim të ri në politikën e migracionit”, ka shkruar në Twitter, ministri i Financave, Christian Lindner, pasi kabineti miratoi reformat. “Kushdo që mund të kontribuojë në suksesin ekonomik të vendit si punëtor i kualifikuar, është i mirëpritur”.
Kabineti ka miratuar zgjatjen e rregullave për punëkërkuesit nga Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, të cilat pritej të përfundonin në fund të vitit. Gjermania synon t’i rekrutojë rreth 50 mijë punëtorë në vit nga këto vende.
Një nga reformat është ligji i ri i imigrimit që synon të adresojë pengesat kyçe për ata që duan të shkojnë në Gjermani, sidomos për ata që vijnë nga vendet jashtë Bashkimit Evropian.