Kur do t’i marrin punëtorët e sektorit publik shtesat në pagë? Flasin nga MPB

Advertisement

Punëtorët e sektorit publik s’e kanë marrë asnjë shtesë në pagë, nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pagat në sektorin publik. Në total janë dhjetë shtesa që ata mund t’i përfitojnë, por që Komisioni që është formuar për këtë çështje, ende s’e ka përfunduar punën.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se sapo të shqyrtohen e aprovohen kërkesat, punonjësit publikë do t’i marrin shtesat për të gjithë muajt në mënyrë retroaktive, por se kur do të ndodhë kjo saktësisht nuk kanë dhënë informata.

Më 5 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi Ligji për Pagat në sektorin publik, nga i cili janë prekur pagat e mbi 80 mijë punonjësve. Pagat e para me këtë ligj, ata i kanë marrë në fund të shkurtit, por jo edhe shtesat që u takojnë sipas po këtij ligji.

Për të përfituar nga këto shtesa, ata janë duke pritur tash e katër muaj, meqë Komisioni i themeluar për këtë çështje ka ende punë.

Zëdhënësja e MPB’së, Nora Fetoshi i ka thënë Gazetës Express se komisioni është duke i shqyrtuar kërkesat dhe se pas aprovimit të tyre, punonjësit do t’i marrin shtesat në mënyrë retroaktive për të gjithë muajt, që nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga në sektorin publik.

Advertisement

“Komisioni për përfitimin e shtesës për kushte specifike të punës, është duke i shqyrtuar kërkesat. Ju njoftojmë se ende nuk ka përfunduar puna e komisionit. Pas shqyrtimit dhe aprovimit të kërkesave, në mënyrë retroaktive do t’i marrin shtesat për të gjithë muajt që nga hyrja në fuqi e ligjit për paga në sektorin publik”, ka deklaruar Fetoshi.

Ajo ka treguar edhe se sa shtesa mund të përfitojnë punonjësit në sektorin publik.