Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një valë urimesh nga liderë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtar

Advertisement

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një valë urimesh nga liderë dhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë pas fitores në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 dhe konfirmimit për një mandat të ri qeverisës.

Ndër figurat kryesore që e kanë përgëzuar janë kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz, presidenti i Francës Emmanuel Macron, kryeministri i Çekisë Andrej Babiš, si dhe kryeministri i Luksemburgut Luc Frieden. Po ashtu, urime i ka dërguar edhe ambasadori jorezident i Katarit, Jabor bin Ali Al Dosari.

Në mesazhet e tyre, liderët kanë vlerësuar rezultatin e zgjedhjeve dhe besimin që qytetarët i kanë dhënë qeverisë aktuale. Ata kanë theksuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe vendeve të tyre, duke nënvizuar mbështetjen për rrugëtimin euro-atlantik të vendit.

Një pjesë e madhe e urimeve kanë qenë të fokusuar edhe te prioritetet kyçe që pritet të ndjekë qeveria e re, siç janë thellimi i reformave demokratike, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi ekonomik. Po ashtu, është shprehur gatishmëri për bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë, investimet dhe integrimin rajonal.

Advertisement

Këto urime konsiderohen si një sinjal i qartë i mbështetjes ndërkombëtare për institucionet e Kosovës dhe për vazhdimësinë e politikave që synojnë afrimin me strukturat euro-atlantike dhe forcimin e pozitës së vendit në arenën ndërkombëtare.