Christiane Amanpour, gazetarja e njohur e CNN intervistoi presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me zhvillimet e fundit në veri tw Kosovës. Vuçiç pranoi se trupat ushtarake janë tërhequr nga kufiri mes dyja vendeve, pas thirrjeve nga SHBA dhe BE, teksa u justifikua me faktin se për manovrat ushtarake vendosin drejtuesit e ushtrisë dhe jo ai.
Vuçiç tha se kurrsesi nuk dëshiron një luftë me Kosovën, pasi do të ishte një konflikt me NATO-n.
“Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar tani. Ne duam të shohim një prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë”, u shpreh presidenti serb.
Pyetjes së Amanpour nëse organizatori i sulmit në Banjskë, Milan Radojçiç, do të vihej para drejtësisë, Vuçiç u përgjigj duke thënë se drejtësia do të bëjë punën e saj, por pa konfirmuar nëse do ta dorëzojë atë tek autoritet e Kosovës.
“Problemi është se serbët donin të mbroheshin dhe unë nuk do të mbroj vrasjen e një polici shqiptar, nuk e bëra. E dënova”, nënvizoi Vuçiç.