Ja kush është Hatixhe Hoxha, kandidatja e dytë për Presidente e VV-së

Advertisement

Hatixhe Hoxha është një nga kandidatet e propozuara për Presidente të Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, me një profil që ndërthur përvojën akademike, politike dhe angazhimin në çështje sociale, raporton Gazeta Minuti.

Hoxha ka lindur më 22 gusht 1961 në Shkup dhe aktualisht është doktorante në Fakultetin e Filologjisë në Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ajo ushtron profesionin e ligjërueses në Fakultetin e Arteve në këtë universitet.

Në planin politik, Hoxha ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës në dy mandate radhazi, nga viti 2001 deri më 2007. Gjatë kësaj periudhe, ajo ishte edhe bashkëkryetare e Grupit të Grave Deputete (2006–2007). Po ashtu, ka qenë asambleiste në Kuvendin Komunal të Prishtinës në periudhën 2013–2017, raporton Gazeta Minuti.

Karriera e saj përfshin edhe angazhime në media dhe administratë. Ajo ka punuar si mësimdhënëse, lektore në Televizionin e Prishtinës dhe gazetare në radion “Kosova e lirë”. Gjithashtu, ka mbajtur pozitën e menaxheres në Departamentin e Çështjeve Jorezidente gjatë viteve 2000–2001.

Në aspektin akademik dhe profesional, Hoxha ka përfunduar në vitin 2005 një kurs pasuniversitar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci në Tiranë, ndërsa në vitin 2018 është certifikuar si trajnere në programin “Transformational Leadership Program – Scholarships and Partnerships” në Washington DC.

Advertisement

Ajo është gjithashtu aktive në shoqërinë civile, duke qenë bashkëthemeluese e Shoqatës “Autizmi” dhe anëtare e bordit në Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar.

Hoxha është pjesë e Lëvizja VETËVENDOSJE! që nga viti 2010 dhe mban pozitën e nënkryetares së Qendrës së kësaj partie në Prishtinë. Ajo ka marrë pjesë në konferenca dhe aktivitete të shumta vendore e ndërkombëtare, kryesisht në fusha si gjuhësia, politikat publike, çështjet gjinore dhe të drejtat e personave me aftësi të kufizuar.

Kandidatura e saj për Presidente vjen në kuadër të zhvillimeve të fundit politike, ku Kuvendi i Kosovës pritet të zgjedhë kreun e ri të shtetit.