“Isë Isë, argat i Serbisë”, qysh po e përdor Kurti si referencë letrën që Mogherini ia kishte dërguar Mustafës?

Advertisement

Prej kur është zgjedhur kryeministër – veçmas në herën e dytë – i ka ndryshuar shpeshherë qëndrimet, e sidomos për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, që po kërkohet me ngulm nga bashkësia ndërkombëtare për formimin e tij, raporton Paparaci.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndryshime ka pasur edhe në raport me ish-kryeqeveritarin, Isa Mustafa, duke përmendur pikërisht një letër që ish-kryediplomatja e BE-së, Frederica Mogherini, ia kishe dërguar atij për çështjen e Asociacionit.

Nga “Isë Isë, argat i Serbisë”, tash shefi i qeverisë po e përdor si referencë një letër që Mustafa e kishte pranuar nga BE-ja për Asociacionin.

Kurti – i cili prej gazit lotsjellës ndaj Mustafës kaloi te togfjalëshi “profesor Mustafa” për interesa të pushtetit – së fundmi ka folur pikërisht për këtë temë, në një intervistë për gazetën kroate “Vecernji list”.

Ai u shpreh se është gati për atë “që komuniteti serb në Kosovë të organizohet më mirë për të marrë sa më shumë shërbime publike cilësore dhe që të respektohen të gjitha të drejtat e tyre”.

Këtu, ai përmendi planin e Ahtisaarit, mos-shkeljen e Kushtetutës së Kosovës, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe letrën e Mogherinit, të cilën ajo ia kishte dërguar Mustafës për ta siguruar se Asociacioni nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes.

Çfarë thuhet në letrën e Mogherinit?

Gjatë kohës kur Mogherini ishte në krye të diplomacisë evropiane, e kishte nënshkruar një letër që mban datën e 24 gushtit të vitit 2015, ku zotohej se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe – parimet e përgjithshme të se cilit do të nënshkruheshin të nesërmen e kësaj datë në Bruksel nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.

Ko garanci, përmbushte “kushtin” vendimtar të ish-kryeministrit Mustafa për të nënshkruar dokumentin e parimeve të Asociacionit më 24 gusht të vitit 2015, për më tutje, ajo gjithashtu garantonte se ky Asociacion nuk do të përbënte një nivel të tretë të pushtetit në Kosovë.

“Letra e zonjës Mogerini, e cila në emër të BE-së sqaron se sipas pikëpamjeve të tyre Asociacioni nuk është pushtet i tretë dhe nuk ka kompetenca ekzekutive, ka qenë dokument zyrtar, jo privat. Unë e kërkova atëherë si garanci për ta nënshkruar dokumentin e parimeve… Qëllimi ishte që kur të hartohej statuti, BE-ja të mos kërkojë kompetenca ekzekutive, pra kjo ishte një garanci, sepse zonja Mogherini ishte nënkryetare e Komisionit Evropian dhe shefe e diplomacisë evropiane.”, thoshte  Mustafa.

“Në kontekstin e diskutimeve tona për themelimin e Asociacionit/Komunitetit të Komunave me Shumicë Serbe, unë do të doja të konfirmojë që është në kuptimin e BE-së, që Asociacioni/Komuniteti – në akordancë me Marrëveshjen e Parë dhe Ligjin e Kosovës – nuk do të konstituoj nivel të tretë të qeverisjës dhe nuk do të ketë fuqi ekzekutive. BE-ja, në ushtrimin e rolit të vet si ndërmjetësues në dialogun Prishtinë – Beograd, do të vazhdojë të monitorojë respektimin dhe implementimin e dyanshëm të Marrëveshjës së Parë dhe të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog”, thuhej në letrën e Mogherinit.

Çfarë thoshin nga LVV-ja për Mustafën?

Në kohën kur Mustafa ishte shef qeverie, Lëvizja Vetëvendosje hidhte kritika e akuza të shumta ndaj tij.

Madje, zyrtarë e aktivistë të LVV-së e quanin Mustafën “argat të Serbisë”. Inati ndaj Mustafës kishte shkuar aq larg, saqë nga LVV-ja ishin orkestruar sulme ndaj tij.

Gjithë këto akuza bëheshin pasi LVV-ja pretendonte se Mustafa po e dëmtonte Kosovën, në procesin dialogues me Serbinë.

Ndryshimet në qëndrime dhe “lëvdatat” ndaj Mustafës 

“Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”.

Kështu kishte deklaruar në maj kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjuca për ish-kryeministrin Isa Mustafa, teksa fliste për Asociacionin. Fjalë të tilla kishin surprizuar edhe opinionin publik, marrë parasysh se LVV-ja kishte organizuar edhe protesta të shumta bash për ta kundërshtuar Asociacionin dhe Isa Mustafën.

“Nëse keni një qeveri të fuqishme mundeni me përdor atë letër, nëse e ke të dobët e gjuan në mbeturina. Varet qysh e koncepton. Ne sot e përdorim, por nuk e përjashtoj që edhe qeveria Mustafa e ka përdor. Nuk thash kurrgjë. Nëse e ka nxjerrë me shumë mundim atë letër, bravo i qoftë ja jap dorën. Qe dora. Se neve sot po na ndihmon”, thoshte Konjufca.

Asociacioni dhe kërkesat e ndërkombëtarëve 

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte konstatuar po atë vit se disa prej këtyre parimeve nuk janë në përputhje me frymën e Kushtetutës, por ka thënë se, nëse ato harmonizohen, Asociacioni mund të formohet.

Advertisement

Serbia në vazhdimësi e kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, e cila parashihet në Marrëveshjen e Brukselit për Normalizimin e Marrëdhënieve nga viti 2013.

Megjithatë, Kosova po përpiqet ta pengojë atë asociacion që të ketë kompetenca ekzekutive, duke theksuar se nuk dëshiron diçka si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë në territorin e saj.

Nga ana tjetër, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka përsëritur vazhdimisht se Asocaicioni duhet të formohet.

Në një intervistë për Kanal 10, Escobar pati thënë se Kosova mund ta kthejë çështjen e Asociacionit në një situatë “win-win” (v.j. që u konvenon të dyja palëve).

“Është një zotim që tashmë ekziston, është një zotim i rëndësishëm, i cili duhet të zbatohet. Por, gjëja e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Escobar pas një vizite në Kosovë.

Ndërkohë, BE-ja ka përsëritur vazhdimisht qëndrimin se Kosova dhe Serbia duhet t‘i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

“Kurti s`ka dashur të dëgjojë për letrën e Mogherinit”

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte rrëfyer kundërshtimit e Kurtit në vitin 2015 për letrën e ish-shefes se diplomacisë së BE-së, Frederica Mogherini.

Këtë letër, tashmë shefi i qeverisë po e përdor si referencë ndaj kërkesave ndërkombëtare karshi obligimeve të Kosovës.

Sipas tij, Kurti më 2015 as nuk ka dashur të dëgjonte për letër.

Në një prononcim për Nacionalen, Mustafa thoshte Kurti në dialogun me Serbinë po pranon një marrëveshje shumë më të dëmshme se ajo e vitit 2015, transmeton Paparaci.

“Dhe çdo ndryshim që bëhet me vonë në statutin e Asociacioni duhet t`i nënshtrohet prapë verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Kështu është në marrëveshjen e vitit 2015, por këta nuk kanë dashtë, e kanë pasur një kauzë krejtësisht politike dhe sot janë në një situatë krejt tjetër, që po pranojnë diçka shumë më e rëndë se sa ajo që ka qenë në vitin 2015”, ka deklaruar Mustafa.

Çfarë tha Kurti? 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për gazetën kroate “Vecernji list” – ndër të tjera – edhe për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe.

Sipas tij Asociacioni mund të themelohet “sipas planit të Ahtisarit, por e gjithë kjo duhet të jetë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës, brenda vendimit të Gjykatës Kushtetuese të saj dhe gjithashtu në përputhje me letrën e Federica Mogherinit, e cila i ishte dërguar ish-kryeministrit të Kosovës, Mustafa, në të cilën shkruan se ai asociacion nuk mund të ketë pushtet ekzekutiv apo të përfaqësojë nivelin e tretë të qeverisjes”.

Ai ka thënë se Marrëveshja e Ohrit e ka specifikuar se të gjitha marrëveshjet e kaluara duhet të zbatohen plotësisht.

“Neni 7 flet për vetëmenaxhimin e komunitetit serb, i cili lidhet me nenin 10, i cili thotë se të gjitha marrëveshjet e mëparshme, të cilat janë të vlefshme dhe detyruese, duhet të zbatohen plotësisht. Kemi 39 marrëveshje të tilla. Dy prej tyre i referohen asociacionit të komunave me shumicë serbe nga viti 2013 dhe 2015”, ka thënë kryeministri Kurti./Paparaci.com