Kontrollit dhe instruksioneve të “dorës së hekurt” që kontrollon deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit, nuk i kanë shpëtuar as ministri i Financave, Hekuran Murati e as deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja.
Shefi i Financave në Qeverinë Kurti, Hekuran Murati dhe kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja të mërkurën kanë zhvilluar një takim me shefen e fshehur të deputetëve të VV-së, Dejona Mihalin, shkruan Paparaci.com
Në këtë takim, që është mbajtur në një nga hotelet më luksoze dhe ekskluzive të Kosovës, në Swiss Diamond me pronar kryetarin e Aleancës Kosova e Re, Behxhet Pacollin Murati e Muja kanë marrë “udhëzime ekonomke” nga Mihali.
Burime të Paparaci.com i kanë thënë mediumit se ky takim “konsultativ” i mbajtur në Swiss Diamond kishte për synim që Muja e Murati t’i marrin direktivat se si të veprohet më tutje me ekonominë.
Ky takim ngjall dyshime se kush në të vërtetë menaxhon kuleten e shtetit të Kosovës. Kjo marrë parasysh pozitat e rëndësishme që mbajnë dy eksponentët e VV-së.

Në njërën anë, është ministri Hekuran Murati që udhëheq me ministrinë e Financave, dikasterin kryesor shtetëror për menaxhimin e financave dhe në anën tjetër, deputeti Armend Muja, ndër më të rëndësishmit e kësaj ligjeslature të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetar i komisionit që kontrollon punën e ministrisë së Financave.
Duke marrë parasysh përgjegjësinë institucionale, ku Muja kryeson një komision që kontrollon punën e ministrisë së Financave, ky takim i përbashkët në prani të Dejona Mihalit mund të ngjall dyshime.
Sa i përket Mihalit, deputeti tashmë i dorëh equr nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi kishte bërë akuza të hapura dhe e kishte portretizuar si njeriu që kontrollon tërësisht grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nga shkurti i vitit të kaluar, kam depozituar kërkesën për formimin e komisionit hetimor për privatizim. Është bllokuar nga Dejona Mihali. Arsyeja pse po e përmendi me emër është sepse është dora, është masha e kontrollit të grupit parlamentar, duke mbivendosur mbi vullnetin e secilit deputetë, e cila vie pa asnjë legjitimitet në Lëvizjen Vetëvendosje”, kishte deklaruar Abazi.
Më tutje, Abazi kishte thënë se ajo është njeriu kryesor në Lëvizjen Vetëvendosje për kontrollin dhe menaxhimin e grupit parlamentar, pa qenë pjesë e asnjë gare të brendshme.
“Zonja Mihali nuk ka qenë pjesë e votimit, pjesë e listës së deputetëve, nuk ka qenë në garën e brendshme në LVV, por është njeriu kryesor e cila kontrollon dhe menaxhon me grupin parlamentar dhe vendimmarjen që bëhet aty”, thoshte Abazi.
Kritika në drejtim të Mihalit dhe VV-së mbi të njëjtën akuzë kanë bërë edhe partitë opozitare. Madje, ish-sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, tash kryetar i Partisë Socialdemokrate e kishte cilësuar ndër personat më të rëndësishëm krah Kurtit.
Megjithatë, një takim i tillë “informativ” në një nga hotelet më luksoze të kryeqytetit nga eksponentë të partisë që dikur ishte zëdhënës i shtresës së varfër të popullit të Kosovës, krahas përgjegjësisë institucionale ministrit Murati e deputetit Muja, gjithësesi zgjon interesin publik.