Para se të nisë seanca e Kuvendit të Kosovës për mediat ka folur kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.
Haradinaj ka thënë Kosova po i vuan gabimet e bëra nga Kurti dhe se zgjidhja e vetme është rrëzimi i qeverisë, për çka shtoi se i kanë votat e deputetëve për të nisur mocionin.
Institucionet e Kosovës i kanë bërë tri gabime, të cilat po i vuajmë pasojat. Gabimi i parë se nuk u dakorduan me propozimin amerikan për tabelat dhe pastaj me mbet në kujdestari veriu gjatë gjithë procesit të dialogut, në kujdestari të amerikanëve. Gabimi i dytë ishte insistimi apo nxitimi për të mbajtur zgjedhje, duke mos e pasur pjesëmarrjen e garantuar të gjithëve. I treti, ishte gabim sikurse e dimë, kryetarët që kanë marrë aq pak vota nuk kualifikohen mirëfilli si kandidate të mirëfilltë. Edhe zgjidhja me i kryet funksionet e veta në objekte alternative për një kohë ishte e mençme. Gaboi kryetari i qeverisë kur insistoi t’i vendos ata me forcë policore në objekte. Të tri këto gabime u shfrytëzuan shumë mirë prej Serbisë,” ka thënë ai.
Kreu i AAK-së ka thënë se Kosova në një mënyre i ka pranuar kërkesat e ndërkombëtareve për situatën në veri.
Tutje Haradinaj ka shtuar, se ka pakënaqësinë dhe brenda LVV, për çka beson se edhe disa deputetë të partisë në pushtet do i bashkoheshin mocionit për rrëzimin e qeverisë.
“Mocioni është zgjidhja e duhur, është demokraci dhe kjo do të ishte me siguri e dobishme për gjithë spektrin politik, përfshirë edhe shumicën, për pozitën. Janë votat, opozita e ka numrin e nevojshëm për të iniciuar mocionin, por po ashtu ka plot deputetë në Kuvendin e Kosovës që nuk pajtojnë me këto tejkalimet e panevojshme të kryetarit të qeverisë”