Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka refuzuar kërkesën e paraqitur nga Albulena Haxhiu dhe 9 deputetë të tjerë lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Vendimi është marrë më 30 mars 2026 në mënyrë unanime, ku Gjykata e ka shpallur kërkesën si të pabazuar. Po ashtu, është refuzuar edhe kërkesa për vendosjen e masës së përkohshme, që synonte pezullimin e procedurave deri në një vendim përfundimtar.
Deputetët që e kishin dorëzuar kërkesën pretendonin se mos pjesëmarrja e opozitës në seancën e jashtëzakonshme të 5 marsit 2026, ku u votua për Presidentin, përbën shkelje të Kushtetutës dhe është në kundërshtim me përgjegjësitë e deputetëve. Ata i referoheshin edhe një aktgjykimi të mëparshëm të Gjykatës për të mbështetur këtë qëndrim.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk i ka pranuar këto argumente, duke vlerësuar se nuk ka bazë për ta konsideruar procedurën si jokushtetuese. Me këtë vendim, mbetet në fuqi procesi i ndjekur për zgjedhjen e Presidentit.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe, sipas procedurave ligjore, do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.