Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen festive me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së vendit, raporton Telenews.al.
Mbledhjen e ka nisur kryeministri, Albin Kurti, i cili ka thënë që në këtë festë të 15-vjetorit të pavarësisë, duhet t’ia përkujtojmë vetes e njëri-tjetrit se detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar e shumëfishuar arsyet që të rejat e të rinjtë tanë të mund të zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë e për një jetë të mirë.
Në fund të fjalimit të tij, Kurti ka cituar tri gra të rëndësishme në historinë e Kosovës, Shotë Galicën, Tringë Smajlin dhe Nënën Terezë.
“Dëshiroj ta përmbyll këtë fjalë timen me tri citime nga tri personalitete të historisë sonë. Shotë Galica thoshte: “Një jetë pa dije, është si një luftë pa armë. Detyra juaj është që Kosovën mos ta lini pa njërën as pa tjetrën”. Tringë Smajli thoshte: “Mos ia drejtoni armët njëri-tjetrit, por vetëm armikut të përbashkët”. Mbajeni këtë parasysh përditë, që të mos ngatërrojmë debatin tonë të brendshëm e demokratik me polarizime e përçarje armiqësore me njëri-tjetrin. E së fundi mos e harroni që Nëna Terezë thoshte: “Paqja fillon me një buzëqeshje”. Le të jemi ne ata që buzëqeshim e që e mbajmë të hapur derën e bashkëbisedimit. Kosova është projekt i paqes, kontribouse në paqe dhe garanci për paqe. Në këtë kohë kur lufta e preku kontinentin tonë, Kosova e cila sot feston 15-vjetorin e pavarësisë e ka treguar se pa asnjë interes vetjak i mbështet vendet që dëshirojnë paqe e liri përkundër pushtuesve. Kjo duhet të na bëjë krenar të gjithëve.”