Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht identitetin e të dyshuarit për serinë e vjedhjeve që ka tronditur disa biznese në Fushë Kosovë, duke shkaktuar dëme të mëdha financiare.
Policia ka zbardhur rastet pas një hetimi disajavor, ku është konfirmuar se të gjitha incidentet janë kryer nga i njëjti person.
Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për Adem Hasanin, rreth 29-vjeçar.
Ngjarja e parë është raportuar më 24 janar 2026 në rrugën “Meshari”, ku një person kishte depërtuar me forcë në biznesin “Europrint” dhe kishte përvetësuar kabllo dhe materiale të tjera në vlerë prej disa mijëra eurosh.
Pas këtij rasti, në të njëjtën zonë janë raportuar edhe nëntë raste të tjera, duke e çuar numrin total në dhjetë raste, prej tyre shtatë të cilësuara si “Vjedhje e rëndë” dhe tre si “Vjedhje”.
Sipas informatave, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar disa bizneseve kap vlerën mbi 100 mijë euro.
Pas analizimit të provave dhe video-incizimeve nga kamerat e sigurisë, hetuesit kanë arritur në përfundim se të gjitha rastet janë kryer nga i njëjti person.
Mirëpo, dje, pas një pune intensive, Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Fushë Kosovë ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë të dyshuarin 29-vjeçar.
I njëjti është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe ka pranuar se ka kryer të gjitha rastet për të cilat dyshohet.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.