Ekskluzive | Kapet me armë, fishekë dhe thikë në lokal në Gjakovë – i dyshuari në gjendje të dehur, ndalohet për 48 orë (EMRI)

Advertisement

Një person është arrestuar në Gjakovë pasi gjatë një kontrolli policor iu gjetën armë zjarri dhe mjete të rrezikshme në posedim.

Ngjarja ka ndodhur më 27 mars 2026 rreth orës 22:40 në rrugën “Fehmi Agani”, ku njësitet policore, në kuadër të planit operativ “Marsi 2026” dhe në asistencë të NJHTNJ-së, kanë kryer kontroll në një lokal.

Gjatë kontrollit në lokalin “Granit Alija B.I”, tek i dyshuari Mazllom Tanushi është hasur në çantën e belit një pistoletë e tipit “Zoraki M906-T” kalibër 9 mm, me karikator dhe 14 fishekë, si dhe një tjetër armë e tipit “System Defence C9” me karikator dhe 5 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Po ashtu, në xhepin e pantallonave të tij është gjetur edhe një thikë.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor, ku pas testimit ka rezultuar se ishte nën ndikimin e alkoolit me 0.91 promil.

Advertisement

Armët, fishekët dhe thika janë sekuestruar, ndërsa në konsultim me Prokurorin e Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Burimi i lajmit: Sinjali