Deklarata e Macronit që ‘alarmoi’ pozitë e opozitë

Advertisement

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, paralamëroi se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Duke folur më 28 gusht në një fjalim vjetor para ambasadorëve francezë në Paris, Macron tha se nga Kosova dhe Serbia pritet angazhim i qartë në zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës në mënyrë paqësore.

“Franca dhe Gjermania i kanë bërë premtimet e tyre për politikat e vizave dhe çështjet tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse të dy palët nuk sillen me përgjegjësi. Ne duhet të jemi tejet kujdesshëm në këtë drejtim, posaçërisht kur stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është në rrezik”, tha Macron

Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Reagimi i presidentes Osmani

Duke e komentuar paralajmërimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron se mund të rishikohet liberalizimi i vizave për Kosovën në rast se shteti nuk sillet me përgjegjësi në dialogun me Serbinë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani foli me tone të ashpra.

Osmani tha para gazetarëve se nëse kjo ndodh, mund të rezultojë me vdekjen e dialogut dhe i tha Macronit të ndërmarrë këso veprime nëse dëshiron që të mos ketë dialog.

“Në qoftë se dëshiron dikush që të mos ketë më dialog, atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës. Nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Dhe një ndëshkim i tillë, i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë një padrejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, unë besoj që do të rezultojë me vdekjen e dialogut. Nuk ka askush më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre”, tha Osmani.

Opozita alarmohet pas paralajmërimit të Macron për vizat

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka theksuar se deklarata e presidentit të Francës, Emmanuel Macron rikonfirmon qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke shtuar se është koha që të merren masa konkrete për zgjidhjen e konfliktit në rajon.

Çitaku ka theksuar rëndësinë e kësaj deklarate dhe ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta trajtojë seriozisht atë.

“Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria. Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar”, ka shkruar ajo në rrjetin social, Facebook.

Advertisement

Çitaku ka theksuar se rishikimi i politikave të vizave për qytetarët e Kosovës, në rast se nuk ndodhin hapat e duhur drejt zgjidhjes së konfliktit, do të ishte një ndërhyrje serioze.

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi ka reaguar lidhur me deklaratën e presidentit francez, duke thën se është fatkeqësi nëse shqyrtohet pozicioni i vendeve të BE-së për qështjen e vizave.

“Është fatkeqësi për vendin në rast se arrijmë tek një situatë e tillë për shqyrtimin e pozicionit të vendeve të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për vendin, por nëse kjo ndodh përgjegjësia bie tek qeveria Kurti e cila me aventurat e saj, po i sjellë vetëm të këqija vendit, siç kishim deri më tani sanksionet, si rezultat i veprimeve të pakoordinuara dhe të menduara mirë në pjesën veriore të vendit. E ritheksoj, është dëm i jashtëzakonshëm nëse krijohet opinion i tillë brenda vendeve të BE-së që të ketë shtyrje në çështjen e liberalizimit të vizave”, ka thënë ajo në një deklaratë për Gazetën Blic.

Kujtojmë se, ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u pajtuan më 30 nëntor të vitit të kaluar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.

Lëvizja pa viza për kosovarët do të mundësohet nga 1 janari i vitit 2024.

Komentet e Macronit vijnë në një kohë kur Kosovës i është bërë thirrje vazhdimisht të kthehet në dialog me Serbinë dhe t’i organizojë zgjedhjet e reja në veri të vendit.