Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka qenë shumë i ashpër ndaj Kosovës në një bashkëbisedim që sot e zhvilloi me përfaqësues të mediave.
Në këtë bashkëbisedim, i dërguari i SHBA-së ka treguar se vendi i tij ka marrë vendim që Kosova të përjashtohet nga pjesëmarrja në ushtrimin “Defender Europe 2023”.
Veç kësaj, ai ka thënë se vendi i tij nuk do të lobojë te shtetet mosnjohëse që ato ta ndryshojnë qëndrimin ndaj pavarësisë së Kosovës.
E krejt këto veprime erdhën si pasojë e vendimit të qeverisë që të premten t’i dërgojë kryetarët shqiptarë të tri komunave në veri të vendit, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq, me përcjellje policore në ndërtesat komunale.
Ky veprim i qeverisë acaroi popullatën lokale në veri, që është në shumicë serbe, duke u ballafaquar edhe dhunshëm me forcat policore të Kosovës.
Serbët lokalë dje u ballafaquan edhe me forcat e KFOR-it, duke lënë së paku 30 nga këta të fundit të lënduar.
E ashpër ndaj këtij vendimi të qeverisë ishte e tërë bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi, por SHBA-ja në veçanti.
Sekretari i Shtetit amerikan, Antony Blinken, paralajmëroi prishje të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Veprimet e tilla kanë eskaluar ashpër dhe panevojshëm situatën duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ato do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”, thuhet në komunikatën zyrtare të lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, raporton KlanKosova.tv.
E duke ndjekur linjën e Blinkenit, ambasadori Hovenier dha detaje të këtyre pasojave për Kosovën.
Ndër të tjera, ai tregoi se i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë këto veprime, por theksoi se kreu i ekzekutivit kosovar nuk i ka kthyer përgjigje fare.