Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është pyetur për bashkimin e Vjosa Osmanit me Lidhjen Demokratike të Kosovës për të garuar bashkë në zgjedhjet e 7 qershorit.
Ai, ka thënë se populli ia ka dhënë VV-së, 51%, derisa ka shtuar se të gjithë ata që kanë ambicie politike duhet të angazhohen dhe të punojnë për qytetarët, por sipas tij, vendimin përfundimtar e merr populli.
Ai theksoi se në zgjedhjet e fundit Lëvizja Vetëvendosje iu afrua shifrës prej 500 mijë votash dhe siguroi 57 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
“Të gjithë të cilët kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me çka dinë e mundën dhe iu dëshiroj sukses. Por duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie, asnjë pretendent për çfarëdo posti, për këtë vendos populli. Dhe mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh. Pra populli ne zgjedhjet e 21 dhjetorit, 51.1%. Jo 50%, 51, jo 51, po 51.1% ia dha Lëvizjes Vetëvendosje, me ç’rast ne iu afruam shumë pranë asaj shifre 500.000 vota apo 500.000 zemra siç themi ne, dhe vetëm shikoni rezultatin konkret. Lëvizja Vetëvendosje 57 deputetë, 57 deputetë. Ndërkaq LDK, PDK, AAK së bashku 43 deputetë. Pra ato trija bashkë 43 deputetë”, tha ai.