Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës ka ngritur alarmin për një dukuri shqetësuese që po përhapet në vend, duke njoftuar qytetarët për raste të falsifikimit dhe shitjes së certifikatave të rreme në emër të këtij institucioni, raporton Gazeta Minuti.
Sipas njoftimit zyrtar, kohëve të fundit janë identifikuar disa raste ku individë të pandërgjegjshëm po shfrytëzojnë platforma online dhe rrjete sociale për të mashtruar qytetarët, duke ofruar dokumente të falsifikuara që pretendohet se janë lëshuar nga APRK.
Institucioni u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e këtyre mashtrimeve. Në reagimin e saj, Agjencia thekson se çdo certifikatë e lëshuar nga ky institucion është e verifikueshme përmes kanaleve zyrtare dhe jepet vetëm në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.
Ndër të tjera, rikujtohet se blerja apo përdorimi i dokumenteve të falsifikuara përbën vepër penale dhe ndëshkohet sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës.
Agjencia u bën apel qytetarëve që në rast se hasin në oferta të dyshimta apo tentativa për mashtrim, t’i raportojnë menjëherë pranë organeve kompetente ose drejtpërdrejt në APRK.
“Bashkë mund të kontribuojmë në ruajtjen e integritetit të institucioneve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet”, thuhet në fund të njoftimit.