LAJMI I FUNDIT NGA TRUSTI

Advertisement

Trusti ka mbetur pa Bord Drejtues nga 1 marsi. Në mungesë të bordit, rreth 2.5 miliardë euro të kursimeve pensionale të investuara në tregje financiare, janë në rrezik. Emrat e kandidatëve për anëtarë të Bordit i janë dorëzuar Bankës Qendrore të Kosovës më 27 dhjetor të vitit 2022, por kandidatët potencialë s’janë përzgjedhur ende. Nga BQK drejtojnë gishtin ka Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm, por që këta po heshtin. Opozita thotë se Qeveria po e zvarrit këtë proces për të vënë njerëzit e saj në këto pozita.

Miliarda euro të Trustit janë në rrezik, në mungesë të Bordit Drejtues. Pa u zgjedhur Bordi, investimet aktuale nuk mund të ndryshohen (shtohen ose tërhiqen), e kontributet e reja pensionale nuk mund të investohen.

Mandati i anëtarëve të Bordit ka përfunduar më 28 shkurt. Emrat për anëtarët e rinj i janë dorëzuar Bankës Qendrore të Kosovës, por, edhe pse dokumentacioni është dorëzuar dy muaj para se Trusti të mbetej pa bord, ende nuk janë përzgjedhur as kandidatët potencialë për anëtarët e rinj.

Jeton Demi nga Trusti i ka thënë Gazetës Express se dokumentacioni i kandidatëve i është dorëzuar në BQK më 27 dhjetor, por që s’kanë ndonjë informacion sa i përket procesit të shqyrtimit të kandidatëve.

“Më 27 dhjetor 2022 Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ia ka dorëzuar Bankës Qendrore të Kosovës, që është institucioni ndihmues për Komisionin Përzgjedhës, të gjithë dokumentacionin e kandidatëve për anëtarë të Bordit Drejtues të FKPK-së, sipas konkursit të shpallur më 2 dhjetor 2022 me kërkesë dhe dijeni të plotë të Komisionit Përzgjedhës. Ndërsa sa i përket procesit të shqyrtimit të kandidatëve, ju njoftojmë se nuk kemi asnjë informacion për këtë çështje”, ka thënë Demi.

E nga Banka Qendrore e Kosovës e drejtojnë gishtin ka Ministri i Financave dhe Auditori i Përgjithshëm, që janë pjesë e Komisionit për Përzgjedhje.

Advertisement

Kushtrim Ahmeti nga BQK i ka thënë gazetës se Guvernatori Fehmi Mehmeti i ishte drejtuar tri herë me kërkesa atyre për këtë proces, por që s’kishte marrë përgjigje.

“Ju informoj se bazuar në kërkesat ligjore, gjatë vitit 2022, përkatësisht 14 mars 2022 dhe 24 tetor 2022; si dhe me 5 janar 2023 Guvernatori Mehmeti ka bërë kërkesë drejtuar Ministrit të Financave dhe Auditorit të Përgjithshëm lidhur me procesin për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës. Megjithatë, deri më tani, Guvernatori Mehmeti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse lidhur me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës”.

Mehmetit i ka skaduar dje mandati si Guvernator i BQK’së, e kjo është edhe arsyeja pse ka ngecur procesi në BQK sipas Pal Lekajt, që është anëtar i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Por thotë se Kryetari i Bordit të BQK’së është zotuar se do ta marr detyrën e ZëvendësGuvernatorit dhe se kjo do të krijojë hapësirë ligjore për ta zhbllokuar këtë proces.