Shteti rrit kontrollin mbi paratë publike. Pas rritjes së shtesave për fëmijë në tridhjetë euro, Ministria e Financave ka nisur një proces të gjerë verifikimi për t`i pastruar listat e përfituesve. Alarmi vjen pas largimit të mbi 37 mijë qytetarëve nga Kosova vetëm brenda një viti, duke ngritur dyshime se mijëra fëmijë që jetojnë në mërgim, vazhdojnë të paguhen nga buxheti i shtetit.
Rreth 400 e 6 mijë fëmijë në Kosovë marrin çdo muaj shtesat e rritura nga qeveria, por jo të gjithë ata jetojnë realisht këtu. Shifrat alarmante të emigrimit që i jep Agjencia e Statistikave, kanë detyruar Ministrinë e Financave të nisë një aksion të rreptë verifikimi. Qëllimi është i qartë: zbulimi i familjeve që kanë braktisur vendin për bashkim familjar, por që po vazhdojnë të përfitojnë jashtë ligjit nga skemat sociale të Kosovës.
“Ka një numër të atyre që kanë përfituar dhe që nuk kanë qenë banorë të Kosovës. Është një numër i konsiderueshëm i tyre që i janë nënshtruar kontrollit. Meqenëse procesi vazhdon, nuk e kam shifrën e saktë se sa prej tyre janë larguar nga skema e përfitimit për shtesa për fëmijë”, tha Liridon Llozani, këshilltar për media në MPFVLÇ.