Rama me akuza të rënda ndaj Kurtit

Advertisement

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka drejtuar akuza të ashpra ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, duke e fajësuar për izolimin e Kosovës, humbjen e fondeve të Bashkimit Evropian dhe, sipas tij, mbylljen e bizneseve vendore.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka përmbledhur bilancin e qeverisjes me fjalët: “Izolim. Sanksione. Humbje fondesh. Mbyllje fabrikash.”, duke thënë se kjo është pasoja e një politike që, sipas tij, u paraq it si patriotike, por që po e paguajnë qytetarët e Kosovës.

Advertisement

Ai ka deklaruar se Bashkimi Evropian po i ridrejton fondet drejt Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kosova, sipas tij, ka mbetur jashtë për shkak të masave ndëshkuese të vendosura nga BE-ja.

Rama ka përmendur edhe mbylljen e fabrikës së qumështit “Vita”, duke thënë se pasojat po i ndiejnë punëtorët, fermerët dhe pronarët, ndërsa ka ngritur pyetjen se cili biznes do të jetë i radhës.

“Sot po shohim biznese që mbyllen. Po mbesim pa fonde të Bashkimit Evropian, ndërsa amerikanëve, për projektin e gazit, iu përgjigjëm me arrogancë: ‘Ne kemi ide më të mirë’”, ka shkruar ai.  Në fund të reagimit, Rama e ka cilësuar situatën si pasojë të një “qeverie autokrate, të paaftë dhe papunëtore”, duke e përmbyllur postimin me fjalën: “Mjerim!”