Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka publikuar çmimet tavan të derivateve të naftës që do të vlejnë për sot dhe nesër në Kosovë.
Sipas vendimit të ministrisë, çmimi maksimal i lejuar për naftën është caktuar në 1.63 euro për litër, ndërsa benzina do të tregtohet me 1.51 euro për litër. Ndërkaq, çmimi i gazit është përcaktuar në 0.80 euro për litër.
MINT ka bërë të ditur se këto çmime hyjnë në fuqi nga ora 10:00 dhe do të jenë të vlefshme gjatë dy ditëve të ardhshme.
Krahasuar me çmimet e publikuara të premten, nafta ka shënuar një ulje prej 4 centësh për litër, pasi më herët ishte tregtuar me çmim maksimal prej 1.67 euro.
Ulja e çmimeve pritet të lehtësojë disi barrën për qytetarët dhe bizneset, të cilët në javët e fundit janë përballur me luhatje të vazhdueshme të çmimeve të karburanteve.
Institucionet përgjegjëse kanë theksuar se monitorimi i tregut të derivateve do të vazhdojë në baza të rregullta, në varësi të zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare të naftës.