350 deri në 500 euro do ndahen për këtë kategori në Kosovë!

Advertisement

Ministria e Bujqësisë ka prezantuar masa të reja mbështetëse për sektorin bujqësor, duke rritur subvencionet në disa prej degëve kryesore të prodhimit vendor për vitin 2026.

Zyrtari i ministrisë, Isuf Cikaqi, ka bërë të ditur se këto masa synojnë rritjen e prodhimit, zhvillimin e sektorëve strategjikë dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së fermerëve në tregun vendor dhe atë ndërkombëtar.

Sipas tij, një nga sektorët që do të përfitojë mbështetje direkte është sektori i perimeve, ku fermerët do të subvencionohen me 350 euro për hektar.

Ndërsa për kultivimet më intensive, si ato në fushë të hapur apo në serra, mbështetja financiare do të arrijë deri në 500 euro për hektar.

Përveç sektorit të perimeve, skema e re parasheh subvencione edhe për disa fusha të tjera të rëndësishme të bujqësisë:

Pemtaria: prodhuesit e fidanëve do të mbështeten me 0.15 euro për çdo fidan të prodhuar;
Vreshtaria: fermerët do të përfitojnë deri në 900 euro për hektar, përveç pagesës bazike prej 150 euro për hektar;
Prodhimi i verës: do të subvencionohet me 0.08 euro për litër, me synim zhvillimin e industrisë së përpunimit dhe rritjen e konkurrueshmërisë në treg.

Advertisement

Sipas Ministrisë së Bujqësisë, këto masa janë pjesë e politikave për forcimin e prodhimit vendor dhe mbështetjen e sektorëve me potencial të lartë ekonomik dhe eksportues.

Institucionet theksojnë se përmes subvencioneve synohet jo vetëm rritja e prodhimit, por edhe modernizimi i bujqësisë dhe përkrahja e fermerëve përballë sfidave të tregut.

Detajet për kriteret e aplikimit dhe procedurat e përfitimit pritet të publikohen në thirrjet zyrtare gjatë vitit 2026.