Fermerët që mbarështojnë lopë qumështore do të vazhdojnë të mbështeten financiarisht edhe gjatë vitit 2026, në kuadër të Programit të Pagesave Direkte të Ministrisë së Bujqësisë.
Sipas orientimeve indikative të publikuara nga ministria, për çdo lopë qumështore është paraparë një subvencion prej 90 euro për kokë, me synim rritjen e prodhimit vendor të qumështit dhe formalizimin e mëtejshëm të sektorit blegtoral.
Institucionet përgjegjëse vlerësojnë se kjo mbështetje financiare do të ndikojë drejtpërdrejt në forcimin e fermave ekzistuese dhe në rritjen e qëndrueshmërisë së prodhimit të qumështit në Kosovë.
Përmes kësaj mase synohet gj ithashtu përmirësimi i zinxhirit të furnizimit ushqimor dhe ulja e varësisë nga importi i produkteve të qumështit.
Ministria e Bujqësisë thekson se sektori i blegtorisë mbetet një nga shtyllat kryesore të sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural, duke pasur parasysh numrin e madh të fermave familjare që merren me prodhimin e qumështit.
Mbështetja për lopët qumështore konsiderohet një nga masat kryesore të politikave bujqësore për vitin e ardhshëm, ndërsa detajet për kriteret dhe procedurat e aplikimit pritet të publikohen në thirrjet zyrtare të ministrisë.