Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka folur pas takimit që zhvilloi me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, lidhur me hapat e ardhshëm pas zhvillimeve të fundit politike në vend.
Pas përfundimit të takimit, Radoniqi bëri të ditur se KQZ-ja ka kërkuar që të ketë sa më shumë kohë në dispozicion për organizimin e procesit zgjedhor, duke theksuar nevojën për përgatitje teknike dhe administrative.
“Për datën e zgjedhjeve kemi kërkuar sa më shumë kohë me pasë, për shkak se na nevojitet përgatitje dhe në fund i mbetet presidentes që të vendosë,” deklaroi Radoniqi.
Deklarata e tij vjen pasi vendi dështoi të zgjedhë Presidentin brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, çka pritet ta çojë Kosovën drejt një procesi të ri zgjedhor.
Takimi ndërmjet Haxhiut dhe Radoniqit është parë si një hap i rëndësishëm në koordinimin institucional për organizimin e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime konkrete lidhur me caktimin e datës së votimit.
KQZ-ja tashmë duket se po përgatitet për sfidat organizative që sjell një proces i ri zgjedhor, përfshirë përditësimin e listave, logjistikën dhe afatet procedurale.