Komisioni për Ekonomi ka shqyrtuar projektligjin për çmimet tavan. Derisa partia në pushtet e ka konsideruar atë si mundësi për ndaljen e abuzimit dhe mbrojtje të konsumatorëve, deputetët e opozitës e kanë cilësuar atë kapje të tregut. Ka ngritur dyshimet lidhur me pavarësinë e mekanizmit që do të merret me masat
Projektligji për masat e përkohshme për produkte themelore në rastet e veçanta të destabilizimit në treg është cilësuar nga deputetët e opozitës në Komisionin për Ekonomi si tentativë për kapje të tregut.
Ministrja e Tregtisë (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se Qeveria synon që me të të mbrojë konsumatorin dhe interesin publik.
Por, deputetja e Lidhjes Demokratike, Janina Ymeri, deklaroi se tjetër projektligj u është prezantuar odave, ndërsa, projektligj tjetër ka shkuar në Kuvend.
Ajo tha se nuk ka votë për të, pasi e konsideroi si tentim për kapje të tregut.
“Qysh e parashihni pavarësinë e këtij bordi, kur këtë bord e inicion MINTI, procedurën e rekrutimit dhe përzgjedhjes dhe i dërgon pesë kandidatë. Thotë, monitorimin e bën vetë bordi dhe zbatimin e bën vetë bordi. Metodologjinë e bën vetë bordi, plus nuk e keni caktuar sa shpesh i raporton këtij bordi, pra gjithçka varet nga këta 5-6 njerëz që i zgjidhni ju”, ka thënë deputetja Ymeri. “Shqetësimi im është që gjithë kjo mundësi e ndërhyrjes në treg varet nga disa persona edhe çka është me rëndësi pavarësinë që ia keni dhënë vetes me këtë ligj”.
Në përgjigje, ministrja Kusari-Lila theksoi se procedura për përzgjedhjen e bordit iniciohet nga Qeveria, ndërsa vendimmarrja finale i takon Kuvendit, duke e krahasuar këtë praktikë me atë të bordeve të tjera të pavarura.
Sa i përket përllogaritjes së marzhës, ajo shpjegoi se për produktet e importuara përfshihen çmimi i blerjes, kostot e transportit, detyrimet doganore dhe shpenzime të tjera të lidhura me zhdoganimin, ndërsa për produktet vendore merren parasysh kostot e prodhimit dhe shpenzimet përkatëse.
Me votat e deputetëve të shumicës, Komisioni për Ekonomi aprovoi këtë projektligj, për ta përcjellë për miratim në Kuvend.
Projektligji përcakton dy lloje të masave të përkohshme, siç janë: caktimi i marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë dhe caktimi i çmimit maksimal të lejuar nga operatorët ekonomikë.