Naim Murseli bashkë me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokollën do të mbahen në paraburgim për një muaj, të dyshuar për vrasjen e Liridona Ademajt, gruas së Naimit. Ky i fundit ka qenë ndër personat më të afërt të Behgjet Pacollit në politikë. Megjithatë, ai rezulton të jetë fuqizuar në botën e biznesit nga ‘Baci’.
Platforma ‘Kërko.com’, figuron të jetë në pronësi të Naim Murselit, Valdrin Pretenit (bashkëpunëtor i Murselit në Suedi). Ndërkaq, pronar dikur figuronte edhe Valon Llukës (biznesmen i afërt me Behgjet Pacollin). Kështu të paktën thuhet në plaformën e Bizneseve të Hapura, e cila gjeneron të dhënat e ARBK-së.
Në uebfaqen zyrtare, thuhet se 80 për qind të aksioneve i ka Naim Murseli, ndërkaq 20 për qind të tjera Valdrin Preteni.
Platforma gjeti mbështetje të fortë financiare, nga Pacolli.
“Unë e kam promovuar prej kohësh rëndësinë e mbështetjes së të rinjve të Kosovës, krijimtaria e tyre është e paçmuar dhe diçka nga e cila vendi do të përfitojë në të ardhmen. Prandaj, kam kënaqësinë të prezantoj Kerko.com, të cilin zgjodha ta mbështes në fazën e hershme, dhe në të cilën besova dhe sot është realitet. Një platformë që bashkon të gjitha kompanitë e pronarët e Kosovës në një faqe. Gjetja e numrit të telefonit, adresës dhe orarit të punës së një biznesi nuk ka qenë asnjëherë më e lehtë se sot. Suksese stafit të platformës Kerko.com”
Për ndihmën financiare që ia kishte dhënë Pacolli, Murseli shprehte fjalë nga zemra.
