Nga Ben Andoni
Muajt e fundit kanë qenë ‘mbresëlënëse’ për proceset integruese të Ballkanit Perëndimor. Pas një maratone të madhe procedurash, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut arritën që të hapin negociatat e anëtarësimit; Bosnja pas tollovisë së brendshme dhe ndarjeve të tre etniteteve fitoi statusin e vendit kandidat; Kosova, pasi që arriti fali dhe tokë, fitoi më në fund liberalizimin e vizave; ndërsa lufta për Ukrainën dhe aroma për agresionin ndaj Moldavisë, u dha mundësinë që të fitonin statusin e vendit kandidat në një kohë rekord prej vetëm 15 muajsh. Të mendosh thjesht udhën e vendit tonë atëherë realisht trandesh për rrugëtimin drejt BE-së.
Në Slloveni teza e prezantuar nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, se BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të ishin gati për zgjerimin deri në vitin 2030, i shkundi vendet tona. Ndërkohë ajo që bëri habi ishte se strukturat e BE-së nuk ishte se ishin shumë në sintoni. Dihet se BE-ja me politikat e saj dhe rregullat e shumta i ka dëshpëruar seriozisht ballkanasit. Edhe pse teknikisht besohet dhe deridiku ndihet që procesi i integrimit është shumë më afër, nga mëtimi i Selanikut deri te fjala e Michel kanë kaluar gati dy dekada dhe ndaj ajo që ‘vuajti’ Tirana zyrtare dhe Shkupi i kanë bërë ballkanasit të meditojnë shumë. Në rastin e Kosovës çështja ka qenë edhe më e dhimbshme sepse lufta më e madhe për Prishtinën zyrtare ka qenë për të përballur vonesat në liberalizimin e vizave. Radhët e gjata para ambasadave dhe lëshimet e politikës ndaj çdo gjëje të kërkuar, shtuar me debatet kanë marrë aq energji në Kosovë, saqë pesimizmi, pakënaqësia dhe cinizmi ndaj BE-së duken tashmë fare normalë.
Shqipëria e gëzon statusin e vendit kandidat, qysh prej vitit 2014, por rrugëtimi i saj që prej atij viti u ngadalësua shumë për t’u kapur një cak në javët e fundit, derisa mori jetë në muajt e fundit. Por, duke qenë në një njëjtën vijë procedure me Maqedoninë e Veriut, do duhej që Shkupi të zgjidhte më parë mosmarrëveshjen e gjatë dhe shumë problematike me fqinjin e saj: Bullgarinë. Vetëm kur kjo marrëdhënie mori një drejtim, atëherë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, iu hap drita jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit që mëtohet të na çojnë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Po të kthehemi pak pas në strukturën e procesit, do duhet të kujtojmë se gjithnjë para fillimit të procedurave: vendi kandidat dhe Komisioni Evropian vendosin të ashtuquajturën “strategji e para-anëtarësimit”, i cili kërkon që të bëhet hartimi i një strukture negociuese nga të dyja palët. Dhe, nuk mbaron këtu, pasi negociatat janë të parapara që të mos marrin jetë derisa mandati të miratohet unanimisht nga të gjitha vendet anëtare të bllokut. Këtu fillon paradoksi, pasi konjukturat mes shteteve, siç po ndodh tashmë në krizën mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe pak më parë Greqisë me Maqedoninë e Veriut dhe kësaj të fundit me Bullgarinë kanë shumë rol. Që do të thotë dhe një pakënaqësi nga një prej shteteve të rezultojë me veto dhe pritje si ai personazhi i Kafkës. Në momentin që arrihet marrëveshja duhet që Komisioni Evropian të aprovojë faktin që çdo vendi kandidat të plotësojë tre kushte, të ashtuquajturat kritere të Kopenhagenit. Për nisjen e bisedimeve, vendit kandidat i kërkohet të plotësojë vetëm kriteret politike, ndërsa të tjerat, që hanë peshën më të madhe duhet dhe mund të përmbushen gjatë fazës maratonë të negociatave. Hapi i parë, ku ndodhet Shqipëria, përfshin një proces tejet rigoroz ku duhet shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se në çfarë mase përputhet ai me ligjet e BE-së ose me të ashtuquajturën acquis communautaire. Shkurt acquis.