Për ekspertin amerikan, i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në negociatat izraelito-siriane dhe izraelito-palestineze në formatin “Track II” e njohur ndryshe si “diplomacie e kanaleve të pasme” Alon Ben – Meir, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i zhytur në obsesionin e tij me Serbinë, duke mos e kuptuar kurrë se pavarësia, siguria dhe mirëqenia e Kosovës nuk varen nga ajo që thotë apo bën presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, por nga angazhimet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të ruajtur sigurinë dhe pavarësinë e Kosovës. Sipas Ben-Meir, është e habitshme se përse një politikan si Kurti që e konsideron veten të ditur dhe i përkushtuar ndaj interesave kombëtare të vendit të tij, arrin të largojë miqtë e tij më të mirë, pa të cilët Kosova nuk mund të mbijetojë si një vend i pavarur dhe i sigurt. “Ndoshta Kurti duhet të marrë pak kohë dhe të reflektojë se pse dhe në çfarë rrethanash BE-ja mund të minojë interesat kombëtare të Kosovës vetëm për të qetësuar Serbinë”, ka shkruar Ben-Meir Pikëpamja e Kurtit se BE-ja po dëshiron të akomodojë Serbinë në kurriz të Kosovës, sipas ekspertit amerikan është edhe e gabuar edhe kundërproduktive. “Ai duhet ta dijë se nëse dëshiron që Kosova të anëtarësohet në BE në një të ardhme të afërt, duhet të punojë krah për krah me BE-në në çdo aspekt dhe të shmangë çdo konflikt që mund të pengojë procesin e integrimit” – theksoi eksperti amerikan duke shtuar se Kurti duhet ta ketë të qartë se fajësimi i Kosovës nga ana e BE-së për dështimin e dialogut “nuk është i pabazë”. Sipas tij, Kurti po gabon kur pohon se Kosova do ta zbatojë të gjithë marrëveshjen në tërësi dhe nuk do ta zbatojë vetëm atë që dëshiron Serbia. – “Kjo logjikë ka vdekur”, theksoi Ben-Meir. Problemi në këtë fazë të dialogut, sipas tij, është se Kurti dhe Vuçiç po kërkojnë që tjetri të bëjë hapin e parë në zbatimin e marrëveshjes. Kryeministri I Kosoves fillimisht kërkon njohjen defacto nga Serbia e më pastaj zbatimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Vuçiç-i të kundërtën – njëherë Asociacioni dhe pastaj nenet e tjera të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit. “Në këtë aspekt, megjithatë, barra bie krejtësisht mbi supet e Kurtit, i cili deri më tani ka refuzuar themelimin e Asociacionit, për të cilin Kosova kishte rënë dakord dhe duhej të zbatohej shumë kohë më pare” – shpjegoi eksperti Ben Meir, sipas te cilit Albin Kurti duhet të kujtojë se ekziston një shqetësim i madh në Perëndim se Rusia mund të përdorë Beogradin për të rindezur konfliktet etnike në Ballkan, veçanërisht pas agresionit në Ukrainë. Dhe për të parandaluar që kjo të ndodhë, BE-ja duhet të tërheqë Serbinë në orbitën e saj. “Është marrëzi të supozohet se përpjekjet e BE-së në këtë aspekt do ta dëmtojnë Kosovën në çfarëdo forme. Përkundrazi, sa më shumë që Serbia t’i afrohet BE-së, aq më mirë është për Kosovën, pasi kjo do të çonte pa ndryshim në një atmosferë më të favorshme që do të përshpejtonte procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe njohjen e saj nga Beogradi” – u shpreh Alon Ben Meir. Sipas tij, tani është koha që Kurti të zbresë në tokë dhe të mos marrë më pozicione krejtësisht të papajtueshme me atë që dikton realiteti.
Advertisement
Advertisement