Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se ka diskutuar me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Mirosllav Lajçak, për zhvillimet e fundit në këtë proces.
Osmani, e cila është në Nju Jork dhe është duke zhvilluar takime me diplomatë të huaj në margjina të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka thënë se suksesi në dialog është i lidhur me zbatim të balancuar dhe të plotë të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve dhe aneksit të saj.
Përveç kësaj, ajo ka përmendur edhe nevojën për heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, të cilat sipas saj, janë duke pasur ndikim te qytetarët e Kosovës.
Vetë Lajçaku ka thënë në një postim në rrjetin social X – të njohur më parë si Twitter – se është pajtuar me Osmanin që të vazhdojnë diskutimet në këtë temë.
“E kam pasur një bisedë të detajuar dhe të dobishme me presidenten Osmani për dialogun dhe rrugën përpara në avancim të zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit”, ka thënë ai.