Dyshime se Telekomi i Serbisë u zgjerua kundërligjshëm në Kosovë

Advertisement

Në Autoritetin e Konkurrencës të Republikës së Kosovës po mbahet seancë dëgjimore ndaj ndërmarrjes MTS d.o.o., kompani simotër e operatorit shtetëror të telekomunikacionit të Serbisë.

Me këtë rast, Selajdin Beqa – ud. drejtorit të Autoritetit të Konkurrencës, deklaroi se kjo ndërmarrje ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës duke blerë operatorë tjerë pa i njoftuar.

“Në rastin e ndërmarrjes MTS dhe të tjerëve kam autorizuar monitorimin e këtij sektori. Pas monitorimit të tregut, në bazë të gjetjeve komisioni ka nxjerr njoftimin. Fakt i pakontestueshëm është se MTS d.o.o. ka bërë veprime të jashtëligjshme, nuk ka përfillur obligimin për paraqitje të kërkesës për lejimin e përqendrimit. Arsyetimet e deritanishme të ndërmarrjes nuk e ndryshojnë gjendjen e konstatuar. MTS do të ketë mundësinë ligjore t’i kontestojë argumentet mbi të cilat jemi mbështetur”, shtoi ai raporton RTK

“Autoriteti pas monitorimit në dyshimin e bazuar se ndërmarrja nuk ka vepruar në përputhje me ligjin për mbrojtjen e konkurrences, pasi nuk ka ofruar kërkesën për lejimin e përqendrimit me rastin e blerjes së ndërmarrjeve në tregun e telekomunikimit dhe audioviziv, autoriteti ka nxjerr konkluzionin për fillimin e hetimit. Ndërmarrja ka realizuar blerje pa e dorëzuar njoftimin për lejimin e përqendrimit që është përcaktuar sipas ligjit. MTS brenda afatit ligjor i ka ofruar autoritetit vërejtjet e saj në lidhje me njoftimin e fakteve paraprake të përfshira në procedurë. Autoriteti konstaton gjendjen faktike në bazë të dhënave të mbledhura dhe ato të siguruara nga pala në procedurë. Ndërmarrja MTS, kishte r ealizuar transaksione për blerjen e 100 për qind të sanksioneve në disa ndërmarrje”, tha drejtori i departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut në Autoritetin e Konkurrencës, Shemsi Elezi.

Advertisement

Ndërkaq, nga kompania MTS d.o.o. kanë kërkuar që te hidhen poshtë pretendimet e sekretariatit të Autoritetit të Konkurrencës.

Përfaqësues të kësaj kompanie thanë se e gjithë procedura e hetimit është zhvilluar në kundërshtim me ligjin.

“E gjithë procedura e hetimit dhe e vlerësimit të këtij përqendrimi është zhvilluar në kundërshtim me kriteret ligjore. Autoriteti duhet te hedh poshtë pretendimet e sekretariatit ta Autoritetit të Konkurrencës. Përfaqësuesit e sekretariatit thanë se ndërmarrja ka shkelur dispozitat e ligjit për mosparaqitje të kërkesës për përqendrim me blerjen e katër ndërmarrjeve në Kosovë. Mirëpo nuk pamë një elaborim se si kriteret e ligjit nuk janë plotësuar me këtë ligj. Edhe përkundër vërejtjeve tona nga dhjetori i vitit 2022, ne prapë nuk e kemi të qartë mbi cfarë baze sekretariati vendos në lidhje me kriteret e ligjit i cili kishte hyrë në fuqi në vitin 2022, për ndërmarrjet që janë blerë para se ky ligj të hyjë në fuqi. Transaksionet kanë ndodhur gjatë vitit 2019-2020-2021”, deklaroi Kushtrim Palushi, avokat